mali rečnik srpsko - albanski / albansko - srpski
fjalor i vogël serbisht - shqip / shqip - serbisht
mali rečnik
srpsko - albanski / albansko - srpski
fjalor i vogël
serbisht - shqip / shqip - serbisht

HYRJE

Përzgjedhja e lemave dhe burimet


Fjalor i vogël shqip - serbisht është hartuar për fëmijët e moshës shkollore që jetojnë në komunitete shqiptare homogjene me shqipen si gjuhë amtare dhe serbishten si gjuhë të mjedisit. Fjalori synon t’u vijë në ndihmë në radhë të parë këtyre fëmijëve, por ai mund të shërbejë edhe për ata që duan të mësojnë serbishten ose shqipen si gjuhë të dytë. Fjalori është konceptuar në mënyrë të tillë që të plotësojë nevojat e përdoruesve të tij. Lemat, struktura dhe kuptimet e dhëna në Fjalor janë përzgjedhur në funksion të këtij qëllimi.

Fjalor janë paraqitur mbi 6500 lema/fjalë që mbulojnë përdorimet bazë të shqipes në komunikimin e përditshëm, përfshirë këtu dhe tekstet shkollore. Parimi kryesor i mbajtur parasysh gjatë hartimit të Fjalorit ishte që të përfaqësoheshin në mënyrë sa më të plotë fushat semantike të leksikut bazik në kontekste themelore socio-kulturore. Përzgjedhja fillestare e lemave (një listë me rreth 3500 fjalë) u bë duke u mbështetur në punën kërkimore - pedagogjike - botuese të autorëve në lidhje me fëmijët që e kanë shqipen si gjuhë amtare. Në fazën e dytë u ballafaqua lista e parë me listën e lemave të përzgjedhura për hartimin e Mali rečnik srpsko- albanski. Ky proces rezultoi me hartimin e një liste të dytë, jopërfundimtare të lemave përbërëse të Fjalor i vogël shqip – serbisht. Më tej lista u përpunua duke hequr dhe duke shtuar lema, me synimin që të përmbusheshin sa më mirë objektivat e Fjalorit. Ky hap ka ndikuar vetëm në përbërjen e njësive të Fjalorit, por jo në numrin e përgjithshëm të lemave të përzgjedhura. Si mbështetje kryesore në përzgjedhjen e lemave ka shërbyer Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, 1980, dhe Fjalor i Gjuhës Shqipe, 2006, botime të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Lemat, informacioni semantiko-gramatikor dhe shembujt ilustrues që i shoqërojnë ato janë përzgjedhur dhe janë dhënë në shqipen standarde, si varianti zyrtar i kodifikuar i gjuhës shqipe, megjithëse në ndonjë rast është parë e arsyeshme të përfshihet edhe ndonjë fjalë lokale.


Struktura e njësive të Fjalorit


Struktura dhe paraqitja e veçantë e Fjalorit motivohen prej qëllimit të tij specifik dhe auditorit të cilit i drejtohet. Me ngjyrë blu janë shënuar fjalët në gjuhën shqipe dhe shembujt e dhënë në këtë gjuhë. Ekuivalentet dhe përkthimet në gjuhën serbe janë dhënë me ngjyrë të zezë. Secila njësi e Fjalorit përmban informacionin gramatikor minimal që nevojitet për përdorimin e duhur të leksikut në gjuhën shqipe. Duke marrë parasysh kompetencën e njohuritë gjuhësore në shqipe të përdoruesve të Fjalorit, autorët kanë bërë zgjedhje specifike për informacionin gramatikor që do të jepet në përgjithësi dhe për secilën kategori fjalësh në veçanti.

Theksi i fjalës nuk është paraqitur në Fjalor. Ky vendim motivohet nga disa faktorë: së pari, në vijim të traditës leksikografike në hartimin e fjalorëve të shqipes standarde; së dyti, nga fakti se në përgjithësi theksi nuk përbën problem në shkrimin apo shqiptimin e saktë të fjalëve në shqipen standarde. Gjithashtu, disa njohuri elementare për theksin në shqipen standarde janë dhënë në Shtojcën gramatikore në fund të Fjalorit.

Për secilën nga lemat është dhënë me formë të shkurtuar dhe kategoria leksiko- gramatikore së cilës i përket, lista e përmbledhur e të cilave jepet te Shkurtesat në krye të Fjalorit.

Klasat e ndryshueshme të fjalëve, konkretisht emrat, foljet, mbiemrat, përemrat dhe numërorët (me përjashtim të numërorit tre i cili në gjininë femërore bën tri), jepen në trajtën e tyre përfaqësuese. Për fjalët e këtyre klasave, në rastet kur ka disa veçori të caktuara morfologjike ose tingullore, është shtuar informacion gramatikor në qoshen e djathtë poshtë fjalës, nën një yllth. Për shkak të kompleksitetit që paraqesin klasat e pandryshueshme të fjalëve, do t’i sqarojmë me hollësi në paragrafët vijues.

Trajta përfaqësuese e emrave është numri njëjës, rasa emërore, trajta e pashquar (qiell, shok, fletore). Për emrat e nyjshëm shënohet tema dhe në kllapa pas temës jepet nyja: folur (të). Emrat që përdoren vetëm në shumës kanë si trajtë përfaqësuese atë të numrit shumës, në rasën emërore, në trajtën e pashquar (syze, pantallona). Për një pjesë emrash me shumës të parregullt është dhënë nën shenjën grafike të yllthit edhe shumësi i tyre, p.sh. cak - *caqe.

Emrat që tregojnë profesione shënohen si zëra më vete në gjininë mashkullore dhe në gjininë femërore, p.sh. akrobat dhe akrobate, artist dhe artiste.

Mbiemrat shënohen në formën e tyre përfaqësuese: në gjininë mashkullore, numri njëjës, rasa emërore (për ata mbiemra që e kanë kategorinë e rasës). Për mbiemrat e nyjshëm jepet në fillim tema e tyre dhe nyja shënohet në kllapa pas temës: bukur (i). Gjinia femërore e mbiemrave jepet nën yllthin në formën nyjë + temë: *e dobishme.

Përemrat dalin shpesh me trajta supletive, por, për të ruajtur formatin e Fjalorit, është dhënë forma e tyre bazë (kush, im, ai), ndërsa paradigma e tyre e plotë (sipas gjinisë, numrit, rasës e vetës) është dhënë në Shtojcën gramatikore.

Foljet jepen në trajtën e tyre përfaqësuese, e cila është veta e parë, numri njëjës, koha e tashme, forma veprore, mënyra dëftore (lexoj, mat, di). Për foljet e parregullta, nën shenjën grafike të yllthit është dhënë koha e kryer e thjeshtë dhe pjesorja e tyre (për foljen rri janë dhënë edhe format *ndenja, ndenjur. Në mënyrë të rregullt, nën shenjën grafike të trekëndëshit () është dhënë forma joveprore e foljes (që mund të jetë e diatezës pësore, vetvetore ose mesore). Ka raste që folje të caktuara dalin vetëm në formën veprore ose vetëm në formën joveprore. Në këto raste është dhënë vetëm ajo formë e foljes që ekziston në gjuhë. Si rregull, kuptimi pësor është dhënë i pari. Ai është ilustruar gjithmonë me shembuj, për të dhënë një pamje sa më të qartë të përdorimit të tij dhe për të lehtësuar përvetësimin e kësaj forme. Nëse në formën joveprore të foljes dalin kuptime të tjera shtesë, të ndryshme nga kuptimet që dalin në formën veprore të foljes, këto kuptime renditen pas kuptimit pësor të foljes joveprore. Edhe këtu është ndjekur i njëjti parim si në përzgjedhjen e lemave dhe të kuptimeve të tyre në Fjalor. Nuk janë dhënë në mënyrë të plotë të gjitha kuptimet e foljes joveprore, por janë paraqitur vetëm kuptimet më të përdorshme dhe më të nevojshme, kushtëzuar këtu dhe nga qëllimi i Fjalorit.

Klasat e pandryshueshme të fjalëve, si: ndajfoljet, parafjalët, lidhëzat, pjesëzat dhe pasthirrmat, duke qenë se kanë vetëm një trajtë përfaqësuese, shoqërohen me të dhënat për klasën përkatëse gramatikore. Homonimet shënohen me një numër sipër fjalës, p.sh.: akrep1 ((s)kazaljka ) dhe akrep2 (škorpija).

Janë dhënë si njësi të veçanta ato lema që grafikisht paraqiten njësoj, por nuk janë homonime, p.sh. çaj si emër (pi një çaj) dhe çaj si folje (çaj dru).

Duke qenë se gjuha shqipe karakterizohet nga përdorimi i madhe i shprehjeve, Fjalori është pajisur me disa shprehje frazeologjike që hasen më shpesh në komunikimin e përditshëm.

Si togfjalësha të qëndrueshëm janë paraqitur ato shprehje gjuhësore që zakonisht qëndrojnë gjithmonë bashkë në përdorim. Për të thjeshtuar strukturën e zërave të caktuar në Fjalor, janë paraqitur si togfjalësha të qëndrueshëm njësi gjuhësore tipike që realizohen së bashku në gjuhë, por që në një fjalor të tipit të madh, natyrshëm paraqiten si kuptime të veçanta të lemës. Një zgjedhje e tillë u diktua nga përmasat, qëllimi praktik i Fjalorit, por edhe nga vështirësitë e mëdha që dolën gjatë ekuivalentimit të tyre me kuptimet përkatëse në gjuhën serbe.

Dhënia e kuptimeve brenda secilës lemë është bërë në një pjesë të mirë duke u mbështetur në traditën leksikografike shqiptare. Sidoqoftë, autorët, duke u nisur nga qëllimi i Fjalorit, aty ku ka qenë e mundur, kanë dhënë një renditje të kuptimeve mbështetur në përdorimin e tyre real në gjuhë, veçanërisht te foljet me strukturë kuptimore mjaft të zgjeruar.

Për të ilustruar përdorimin konkret të lemave, janë dhënë shembuj ilustrues, në mënyrë që përdoruesi ta ketë sa më të lehtë të kuptojë dhe të përdorë fjalët në kontekste të ndryshme gjatë komunikimit. Për lemat njëkuptimëshe në përgjithësi nuk është parë e arsyeshme të jepen ilustrime me shembuj. Shembujt janë dhënë në mënyrë të tillë që të nxjerrin në pah sa më mirë kuptimin e ilustruar. Ata jepen aty ku shihet e nevojshme, në formën e togfjalëshave ose të fjalive. Ilustrimi me fjali ka bartur një shkallë vështirësie më të madhe si për autorët, ashtu edhe për përkthimin dhe përshtatjen e tyre në gjuhën përkatëse, por dëshirojmë që pikërisht ky tipar i Fjalorit t’u japë dhe ndihmën më të madhe përdoruesve të tij.

Autorët shpresojnë që Fjalori të jetë i kënaqshëm për përdoruesit. Sidoqoftë, jemi të vetëdijshëm se, pavarësisht nga kujdesi i madh i treguar në hartimin dhe përpunimin e Fjalorit, kjo vepër nuk është e përkryer, siç ndodh në përgjithësi me punë të tilla leksikografike. Shpresojmë që përdoruesit dhe publiku i specializuar do të na ndihmojnë me sugjerime për të përmirësuar cilësinë e tij në rastin e një ribotimi të mundshëm të këtij Fjalori.

pišite nam / na shkruani

unesite reč sa slike / shtypni fjalë nga foto

download

preuzmite zvaničnu aplikaciju Malog rečnika
shkarkoni aplikationin zyrtar të Fjalorit të vogël

preuzmite Mali rečnik kao program za offline korišćenje na vašem računaru
shkarkoni Fjalorit e vogël si program për përdorim offilen në kompjuterin tuaj

OSCE